Ekzekutohet biznesmeni në Laç, më herët iu bë atentat të birit

Një biznesmen u ekzekutua këtë të hënë në Laç.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:23 pranë një banke.

Viktima është Xhelal Reçi, 60 vjeç, ish-polic, që kishte në pronësi një butik dhe një lokal në Laç. Por ky nuk është atentati i parë që bëhet ndaj familjes Reçi.

Në shtator të 2020, djali i Xhelalit, Besniku, i shpëtoi një atentati të mirëorganizuar.

Sipas policisë, dy persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një motorçikletë dhe skafanda në kokë, kanë qëlluar më armë zjarri pistoletë 3 herë, në drejtim të automjetit tip Mercedes Benz C Class me ngjyrë gri me targa AA 811 AB, me të cilin po lëvizte shtetasi Besnik Xhelal Reçi, i datëlindjes 31.08.1985, banues në Gjorme Kurbin, sëbashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe 2 djemtë e mitur.

Në Milot, Kurbin u gjet i djegur një automjet i cili dyshohet se është i autorëve, ndërsa në zonë janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.