Deputetja e Krujës, Merita Bakiu dhe nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj kërkuan këtë të enjte dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Artur Bushi pas helmimi që qindra qytetarëve nga uji i pijshëm në qytet.
Sipas Bakiut, familjet janë në krizë sepse nuk po furnizohen me ujë dhe askush nuk reagon për këtë çështje.
Ndërsa Alibeaj kërkoi të gjenden sa më shpejt shkaktarët:
“Kush e ka shkaktuar? Ne dimë vetëm pasojat. Së paku 1200 qytetarë të Krujës, vogëlushë, familjarë, të moshuar janë shtruar sot pa përmendur sot gjithë pjesën tjetër në shtëpi. Meriton një përgjigje, kush e ka shkaktuar, përse e ka shkaktuar? E patë kryeministrin dje, hoqi dorë, “kam pirë një gotë ujë para ca kohësh dhe nuk dua t’ja di” duke hequr përgjegjësinë. E ka detyrë politike, njerëzore, ligjore. E hedhim topin, bashkia, ujësjellësi, prokuroria. Njerëzit atje janë duke vuajtur. Në të gjithë këtë verbëri e shurdhmemecëri, dikush duhet ta ngrejë si problem. Duhet minimalisht ta diskutojmë. Nuk e kërkuam si interpelancë sepse detyra e parlamentit është të vendosë të gjitha institucionet ekzekutive nën presionin qytetar.
Kryetarja e parlamentit kërkon të mos politizohet. Duhet politizuar sepse parlamenti për këto çështje është. Nuk e kërkojmë sot për interpelancë dhe të kujtohemi pas 2 javësh. Fatkeqësia ka ndodhur sot, duhet të diskutohet sot. E dini mirë që Bakiu, Pampuri e Çupi shkuan në vendngjarje. Ky është detyrimi i opozitës dhe falë lëvizjes së tyre, qeveria mund të lëvizë nga një këmbë. Nuk pret sëmundja për procedurë, nuk pret shëndeti për interpelancë. Të shpresojmë për të gjithë ata shurdhmemecë, të verbër, duke nisur nga kryeministri, të marrin masat e t’i ndodhen njerëzve afër dhe të gjejnë përgjegjësit”.