Në “Sarajet e Toptanëve”, ish-rezidenca e parë amerikane në Shqipëri, u prezantua këtë të enjte në mbrëmje libri i ish-presidentit të SHBA-së, Barack Obama.
Ceremonia u organizua në kuadër të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh premtoi se ky është vetëm fillimi i aktiviteteve të këtij niveli në godinën që sapo mori pronësinë e plotë publike.
Në “Tokë e premtuar”, Barak Obama rrëfen historinë e odisesë së tij të pamendueshme, nga koha kur ishte djalosh që kërkonte të gjente veten, deri kur u bë udhëheqësi i botës së lirë, duke përshkruar me detaje tejet personale si edukimin e tij politik, ashtu edhe momente të shënuara të mandatit të tij të parë të presidencës së tij historike, një kohë ndryshimesh dhe turbullirash dramatike.
Obama i tërheq lexuesit në një udhëtim marramendës që nga aspiratat e tij më të hershme politike, tek pika e rëndësishme e kthesës, fitorja e vyer në asambletë zgjedhore në Ajova që tregoi fuqinë e aktivizmit kokë më kokë me njerëzit, tek nata vendimtare e 4 nëntorit 2008, kur u zgjodh Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara, duke u bërë kështu i pari afro-amerikan që merrte postin më të lartë të vendit.
Duke reflektuar për presidencën e tij, ai ofron një shqyrtim të veçantë dhe të thellë si të fuqisë mahnitëse të Presidentit, ashtu edhe të kufizimeve të saj, si dhe vëzhgime autentike të dinamikave të politikës partiake të Shteteve të Bashkuara dhe diplomacisë botërore.