Ishulli i Siçilisë dhe Kalabria në Italinë jugore janë goditur nga një ciklon me shi dhe erë i cili brenda tre ditëve ka lëshuar në rajon sasinë e reshjeve mesatare të një viti.
Pamjet tregonin rrugë të përmbytura dhe ndërtesa të rrethuara nga uji pas rreth 50 mm shi në 48 orët e fundit.
Dy persona kanë humbur jetën dhe një grua 54-vjeçare është ende e humbur në zonën e përmbytjeve.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, shihej tregu i peshkut në Catania, i mbuluar nga uji, që vërshonte në ndërtesa e dyqane.
Salvo Pogliese, kryebashkiaku i qytetit-port të Catanias ka shpallur mbylljen e shkollave e bizneseve.
“Qyteti përballet me një fenomen të paprecedentë atmosferik. Qytetarët këshillohen të mbeten në shtëpi përveç rasteve të emergjencës”, tha ai.
Gjatë natës zjarrfikësat në zonë ishin thirrur në 620 misione shpëtimi ku morën pjesë rreth 186 zjarrfikës. Një ditë më parë ata kishin kryer rreth 300 shpëtime të njerëzve të bllokuar në makina nga përmbytjet.
Situata pritet të përmirësohet në ditët në vijim.