Helmimi nga uji i pijshëm në Krujë/ Shkon në 500 numri i të prekurve! Prokuroria nis hetimet

Numri i personave të helmuar nga uji i pijshëm në Krujë  ka shkuar në 500 ndërsa Prokuroria ka nisur sot hetimet. 


Prokuroria e Krujës bën me dije se vepra penale është regjistruar  “ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, teksa është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko–ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve.

Me rritjen e numrit të pacientëve, sipas mjekëve ka një përmirësim të situatës në krahasim me 3 ditë më parë.

Nga ana tjetër, spitali i Krujës ka kërkuar që gazetarët të mos futen në ambientet e brendshme dhe për këtë kanë kërkuar edhe ndihmën e policisë.

Që nga mëngjesi i së dielës, shumë qytetarë në Krujë u paraqitën në spital me simptoma helmimi si dhimbje koke, dhimbje barku, diarre e të vjella. Dyshimet e para ishin se helmimi u shkaktua nga uji i pijshëm, ndërsa për këtë arsye furnizimi u ndërpre që prej mesditës të së hënës.

Në një reagim zyrtar të Ujësjellësit të Krujës një ditë më parë, u tha se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar amoniak mbi normë.

Një ditë më parë banorët u shprehën se ky është një rast i përsëritur pasi uji ka ardhur i ndotur dhe më parë në çezmat e tyre. Njëri prej tyre u shpreh se të njëjtat simptoma helmimi ata kanë pasur edhe 3 muaj më parë.

Nga ana e personelit të Institutit të Shëndetit Publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim dhe pritet përgjigja e analizave epidemiologjike.