Futbollisti australian, Josh Cavallo, pranoi publikisht homoseksualitetin e tij, këtë të mërkurë, në një video emocionuese të postuar në rrjetet sociale, e cila është duartrokitur dhe mbështetur nga bashkëlojtarët e tij dhe ish-sportistë të shumtë.
“Ka qenë një udhëtim i vështirë për të arritur në këtë pikë të jetës sime, por nuk mund të isha më shumë i lumtur me vendimin tim për të dalë hapur. Kam më shumë se gjashtë vjet që po luftoj me seksualitetin tim dhe jam i lumtur që po e deklaroj publiksht”, tha mesfushori i Adelaide United në një video të shpërndarë në llogarinë e klubit.
I riu, i cili e përkufizoi veten si një person “shumë i rezervuar”, tha se e ndiente gjithmonë nevojën për t’u fshehur, sepse i vinte turp për homoseksualitetin e tij.
Ai është futbollisti i parë aktiv i nivelit të lartë që ka deklaruar publikisht homoseksualitetin e tij. 21-vjeçari tregoi se si të qenit një futbollist homoseksual “i fshehur” e detyroi të ndrydhte ndjenjat e tij për t’iu përshtatur klasës së futbollistëve profesionistë.
“Unë kam jetuar me supozimin se kjo ishte një temë për të cilën nuk mund të flisja kurrë,” – tha ai. Në këtë kuptim, ai theksoi se dëshiron që lojtarët e tjerë, që jetojnë seksualitetin e tyre në mënyrë të fshehtë, të mos heshtin.
Ish-futbollisti australian, Craig Foster, një aktivist i shquar për të drejtat e njeriut, duartrokiti mesazhin e Cavallo në rrjetet sociale.
“Askush nuk duhet ta fshehë se kush është, topit nuk i intereson ngjyra, raca, feja, gjinia apo seksualiteti”, – tha Foster, i cili ka luajtur 29 ndeshje me përfaqësuesen e Australisë.
Cavallo ka marrë mbështetjen e shokëve të tij të klubit, përfshirë ish-lojtarin e Espanyol, Javi López.