Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vizitoi këtë paraditen pacientët në spitalin e Krujës, që kanë shfaqur simptoma helmimi.
Shkak dyshohet të jetë uji i pijshëm i rrjetit në qytet, por Manastirliu tha se po kryhen analizat dhe brenda 72 orëve do të kemi një përgjigje zyrtare.
“Nga dita e diel dhe deri sot 370 qytetarë kanë marrë shërbim në spital. Vetëm sot janë paraqitur 60 qytetarë që pas shërbimit janë nisur në shtëpi. Tani janë edhe disa pacientë të tjerë që po marrin shërbim në urgjencë, rreth 30 qytetarë, adoleshentë, fëmijë dhe të rritur. Sa i takon investigimit, të gjithë strukturat po hetojnë të gjitha pistat. ISHSH dhe ISHP janë duke investiguar. Janë marrë monstrat e ujit, ushqimeve. Hetimi epidemiologjik po bëhet në të gjithë aspektet. Po pyeten çfarë kanë konsumuar. Do të kemi një rezultat pëërfundimtar kur të kemi analizat. Afati është 24-72 orë”, tha ministrja.
Sipas saj, po merren të gjitha masat dhe çdo gjë do të raportohet në kohën e duhur.
Derisa të rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm nga ujësjellësi, bashkia njofton se do të shpërndajë ujë për qytetarët me autobote.