Mbi 44 mijë euro të fshehura në gomën rezervë, sekuestrohen nga policia në Kakavijë

44. 500 euro janë sekuestruar këtë të martë në Kakavijë, pasi u gjetën të fshehura në gomën rezervë të një automjeti tip ‘Honday’.

Nën hetim është vënë drejtuesi i automjetit, shtetasi me iniciale A.N., për mos deklarimin e parave.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në të detajuar në vijën e dytë, automjetin tip “Honday” me drejtues shtetasin A. N., 41 vjeç, banues në fshatin Moravë, Berat.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në gomën rezervë, 44. 500 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtuesi i automjetit shtetasi A. N. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, njofton policia.