Katër shtetas të huaj u kapën këtë të hënë në portin e Durrësit teksa po përpiqeshin të kalonin me dokumente të rreme.
Policia njofton se një shtetas palestinez dhe dy shtetas sirianë janë ndihmuar nga një shtetas gjerman, që i ka siguruar viza turistike të rreme
Nënë hetim u vu dhe një 37-vjeçare siriane për “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si rezultat dhe i masave të shtuara, shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pritësi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. H., shtetas gjerman, për veprat penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave”;
A. A., 58 vjeç, shtetas palestinez, M. H., 33 vjeç, M. K., 46 vjeç, shtetas sirian, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave”.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja R. F., 37 vjeçe, shtetase siriane, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave”.
Këta shtetas kanë tentuar të kalojnë kufirin duke përdorur viza turistike gjermane të dyshuara të falsifikuara, me anë të ndihmës së shtetasit A. H., në Pikën e Kalimit Kufitar Porti i Durrësit, në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.