E shndërruar në një muze, shtëpia e Ismail dhe Elena Kadare është kthyer në një udhërrëfyes të jetës së çiftit të njohur. Ekspozita e titulluar “Helena” u hap me rastin e ditës së lindjes së shkrimtares, kryesisht me materiale arkivore të Shtëpisë Studio Kadare që prezantohen për herë të parë për publikun.
E lindur për t’u bërë shkrimtare Helena Gusho u tërhoq nga një fill i padukshëm i fatit për ta lidhur jetën e saj me Ismail Kadarenë që në atë kohë ndiqte studimet pasuniversitare në Moskë dhe ishte një prej yjeve të rinj që kishte nisur të ndriçonte në letërsinë shqipe.
Pas disa letrave të shkëmbyera me njëri-tjetrin, takimi i parë do të ndodhte në Tiranë, pasi ai ishte kthyer nga studimet e tij në Moskë dhe do të ndizeshin shkëndija dashurie, që do ta bënin Helenën t’i kthente shpinën një fejese të premtuar nga familja e saj dhe të ndante lirshëm biseda të guximshme e të ngrohta me shkrimtarin.
Duke shëtitur ekspozitën, Report Tv zbuloi pak nga pak misteret e zonjës së shtëpisë. Helena Gusho i ka dhuruar Ismail Kadaresë një antikuar, një përkthim të zverdhur nga koha të Dhiatës së Vjetër me mbishkrimin që hedh dritë mbi origjinën e shkrimtarit.