Vaksinat kundër gripit nisën të aplikohen këtë të shtunë te personeli mjekësor, për të vijuar më pas te grupet e rrezikuara, si të moshuarit dh gratë shtatzëna.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit kundër gripit në Qendrën Shëndetësore Nr.10 në kryeqytet.
“Kanë mbërritur 35 mijë vaksina në raundin e parë të ardhjes së vaksinave të gripit, të cilat tashmë janë porositur prej muajsh nga Instituti i Shëndetit Publik, mbështetur nga qeveria shqiptare. Ashtu sikurse çdo vit tashmë vaksinat e gripit janë përfshirë në kalendarin tonë të vaksinimit për grupet e riskut”, tha Manastirliu.
Duke vënë theksin për kryerjen paralelisht edhe të vaksinimi anti Covid, Manastirliu bëri me dije se qeveria është e angazhuar për sigurimin e vaksinave të gripit dhe ato anticovid.
“Presim që javën tjetër të mbërrijnë në Shqipëri rreth 200 mijë vaksina kundër gripit, të cilat do të shpërndahen në mënyrë të menjëhershme në të gjitha qendrat tona shëndetësore, për të vijuar me kalendarin tonë të vaksinimit kundër gripit dhe paralelisht duke realizuar edhe mbulesën përsa i përket vaksinimit anti-covid. Mund të bëhen këto vaksina edhe paralelisht”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë shpjegoi se në fazën e parë do të vaksinohen ndaj gripit personeli shëndetësor, por edhe të moshuarit me sëmundje kronike:
“Ne kemi filluar këtu në qendrën shëndetësore nr. 10 por edhe në disa qendra shëndetësore paralelisht jo vetëm vaksinimin kundër gripit për personelin tonë shëndetësor që është fokusi i parë i fazës së parë, por paralelisht edhe me vaksinimin kundër gripit për të gjithë ata të moshuar të cilët janë të sëmurë kronikë, personat të cilët kanë probleme me obezitetin apo gratë shtatzëna”.