Arma me të cilën aktori i njohur amerikan Alec Baldwin gjatë xhirimeve qëlloi për vdekje fotografen dhe plagosi regjisorin, kishte plumb të vërtetë.
Sipas të dhënave të gjykatës, Alec Baldwin ka deklaruar se ndihmësregjisori i ka dhënë atij armën duke i thënë se ishte “e sigurt”.
Në dëshminë e tij, ndihmësregjisori ka thënë se nuk e dinte që arma kishte “plumb të vërtetë”.
Detajet e hetimit të policisë janë publikuar dje kur një urdhër kërkimi u lëshua në një gjykatë në Santa Fe në shtetin New Mexico.
Nga ana tjetër, thuhet se veshja e përgjakur e aktorit Baldwin është marrë si provë së bashku me armën në fjalë.
Policia ka konfiskuar edhe municione dhe pajisje të tjera në setin e filmit.
Ndërsa aktori 63-vjeçar u la i lirë pas marrjes në pyetje në polici, ende nuk ka asnjë akuzë për ngjarjen.
Baldwin vrau 42-vjeçaren Halyna Hutchins me armën që përdori gjatë xhirimeve të filmit “Rust” në New Mexico, kurse regjisori 48-vjeçar Joel Souza u shtrua në spital.
“Nuk ka fjalë për të shprehur tronditjen dhe pikëllimin tim për aksidentin tragjik që i mori jetën bashkëshortes, nënës dhe koleges shumë të vlerësuar Halyna Hutchins”, shkroi aktori i njohur në llogarinë e tij në Twitter.