Basha i prerë me Berishën: Kërkon ta zhysë PD në humnerë për interes personal

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte shumë i prerë dhe shumë i qartë kur e akuzoi paraardhësin e tij, si dhe ish-babanë e tij politik, si njeriun që për interes personal kërkon ta çojë PD-në drejt humnerës.

Akuzës se ai është peng i Ramës, Basha iu përgjigj se “Unë jam vetëm peng i Zotit dhe i askujt tjetër. Zotit i kam hyrë në hak por Sali Berishës jo“, duke sqaruar se ia ka dhënë mundësinë ish-liderit demokrat që ta mbante fjalën kur thoshte se “betejën do ta bëj vetëm dhe nuk do ta përfshij Partinë Demokratike”.

“Një person që ka marrë një parti peng vetëm për interesa personale. Para 2 muajsh nuk kishte asnjë problem me mua tani unë jam i keqi. Çfarë ka ndryshuar nga zgjedhjet e kaluara që ne patëm në parti përveç interesit personal të një individi që përpiqet të tërheqë një parti të tërë në greminë. Unë nuk i jam përgjigjur sepse nuk është stili im, rruga ime, por mbi të gjitha nuk i shërben vendit”, ka mbyllur mesazhin e tij për Berishën, Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, duke iu përgjigjur deklaratave të ish-kreut të PD-së Sali Berisha i cili është kundër vettingut politik të propozuar nga Basha, tha se kjo është një nismë e propozuar një vitin 2018. Basha shtoi se madje edhe vetë Sali Berisha e ka firmosur dhe të gjitha ndryshimet janë në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, duke i kërkuar ish-kryetarit që t’i qëndrojë firmës së tij.

Por arsyeja e daljes së Bashës në konferencë për mediat nga selia blu me Grida Dumën dhe Gazment Bardhin nuk ishte Sali Berisha por kërkesat e PD për komisionet hetimore, të cilat sipas kryedemokratit mazhoranca kërkon t’i pengojë dhe të sabotojë punën.

Basha tha se ato kanë kërkuar ngritjen e tre komisioneve hetimore atë për ‘masakrën e zgjedhjeve të 25 prillit’, ‘Becchettin’ dhe për ‘Inceneratorët’, ndërkohë që nënvizoi se sado që Rama të përpiqet që t’i pengojë apo vonojë, ato janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund për ngritjen e tyre.

Basha tha se nuk ka asnjë sekret në çështjen “Becchetti” dhe Rama gënjen kur thotë që nuk mund të publikohet dokumentacioni. Sipas Bashës kjo çështje po u kushton taksapaguesve shqiptarë 120 mln euro.