Vendimet e Komitetit Teknik të Ekpertëve: Nga 1 nëntori nis aplikimi i dozës së tretë për qytetarët mbi 60 vjeç

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur aplikimin e dozës së tretë të vaksinës për qytetarët të cilët janë mbi 60 vjeç dhe uljen e moshës së vaksinimit, referuar eksperiencave ndërkombëtare, deri në 16 vjeç dhe 12 vjeç për fëmijët me probleme shëndetësore. Por ekspertët kanë saktësuar se prioritet vijon të mbetet vaksinimi i popullatës me dy dozat e para të vaksinës.

“Komiteti i Ekspertëve vendos që qytetarët të cilët mbi 60 vjeç të bëjnë dozën e tretë të vaksinës, jo më herët se sa 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë, sipas udhëzimeve të hollësishme që jep Instituti i Shëndetit Publik, duke filluar kjo që nga data 1 nëntor e këtij viti. Fëmijët të cilët janë mbi 16 vjeç do të ftohen për t’u vaksinuar edhe ata gjithmonë me konsentin e prindit, me rekomandimin e mjekut të familjes ose mjekut pediatër, në përputhje me udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik, duke filluar edhe këto nga data 1 nëntor e këtij viti. Do të ftojmë për vaksinim edhe fëmijët të cilët janë 12 – 15 vjeç dhe paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me ulje të imunitetit, në bazë këto të rekomandimit të mjekut pediatër, në bazë dhe kjo në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik”, deklaroi kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli.
Gjithashtu Komiteti i Ekspertëve vendsoi që niveli i masave shtrënguese të mbetet i njejtë, duke nënvizuar se niveli i masave aktuale i përgjigjiet tërësisht këtyre indikatorëve.
Teksa bëri me dije se bashkia Gjirokastër ka mbluesën më të mirë vaksinale në vend, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, i bëri thirrje të rinjve të vaksinohen.
“Nga pikëpamja e grupmoshave vërejmë në javët e fundit një rritje të grupmoshës nga 18 deri në 25 vjeç dhe 25 deri në 30 vjeç, pavarësisht se mbulesa në këtë grupmoshë mbetet e ulët dhe ne bëjmë apel studentëve dhe të gjithë të rinjve që të vaksinohen, për arsye se vaksina është e sigurt për ta. Koronavirusi dëmton, jo vaksina. Vaksina krijon imunitet. Vaksina parandalon në një farë mënyre edhe transmetueshmërinë, duke qenë së ngarkesa virale është më e ulët tek personat e vaksinuar. Pra ata transmetojnë virus për një kohë më të shkurtër. Të gjitha këto e bëjnë vaksinën të domosdoshme. Bashkitë të cilat kanë një mbulesë të lartë vaksinale është bashkia Gjirokastër që është 78 % me një dozë dhe 71% me dy doza. Pra bashkia e Gjirokastrës po arrin të gjitha nivelet europiane, bashkia e Tepelenës, e Pukës dhe disa bashki të tjera në veri dhe në jug të vendit”, theksoi Bino.
Duke folur për situatën epidemilogjike në vend, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik prof. Albana Fico tha:
“Në Shqipëria incidenca dy javore është 222 për 100 mijë banorë, pra raste të reja të infektuara për 100 mijë banorë. Ka një rritje të rasteve aktive totale në këtë periudhe 6444 nga 6397 që i përkon shifrës 226 për 100 mijë banorë. Numri i bashkive të prekura është rritur dhe ka shkuar në 48. Mesatarja ditore e rasteve të shtruara në harkun një javor është 157 ndërsa në atë dy javore është 156. Mesatarja dy javore e rasteve të rënda të shtruara në spitalet Covid është 20. Raporti i numrit të fataliteteve me rastet e infektuara është 1.6 %”, tha Fico.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve u bë me dije se janë kryer në total 1,860,335 doza të vaksinës ndaj COVID19. Dozën e parë të vaksinës e kanë marrë 991,371 qytetarë, ndërsa janë 868,964 qytetarë të vaksinuar me dy doza.