Manja: Rritje për pagat e policëve të burgjeve në 2022

Policët e burgjeve do të kenë rritje rroge, duke u barazuar kështu në gradë dhe funksion me punonjësit e Policisë së Shtetit, tha sot Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Ministri tha se rritja e pagave është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2022 dhe foli për luftën kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë.

Ka dy lajme të mira edhe për Ministrinë e Drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

Se pari, parashikohet rritja e pagave në një masë të konsiderueshme për të gjithë punonjësit e policisë së burgjeve, duke i barazuar për gradë dhe funksion me punonjësit e Policisë së Shtetit.

Së dyti, lajmi i mirë ka të bëjë me suksesin e luftës kundër korrupsionit. Para dy ditësh miratuam krijimin e drejtorisë së përgjithshme antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, sot në këtë buxhet për të ruajtur integritetin e kësaj strukture, njësia përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë do të ketë një trajtim financiar të posaçëm për të mos u tunduar nga korrupsioni, me qëllim luftën frontale ndaj korrupsionit në administratën publike”, tha Manja.