Teksa mediet dhe produksionet mediatike synojnë të arrijnë një audiencë sa më të madhe, emisioni “Për’puthen” e ka arritur këtë qëllim që prej fillimit të tij.
Një ‘reality show’ ku të rinjtë kërkojnë dashurinë. Përmes takimeve në studio dhe jashtë saj, në praninë e kamerave konkurrentët bëjnë takime romantike, për t’u njohur më njëri-tjetrin.
“Për’puthen” është shndërruar në një fenomen televiziv, që me surprizat, intrigat dhe historitë personale mban të mbërthyer teleshikuesit para ekranit.
Autorja e emisionit, Olsa Muhameti, guxoi me këtë prodhim, risi për vendin tonë, duke thyer tabutë që shoqëria shqiptare ka për dashurinë dhe shfaqjen e saj në publik.
Merita mbi të gjitha i takon autores, e cila në karrierën e saj ndër vite ka gjetur mënyra se si ta tërheqë publikun drejt ekranit të Top Channel.
Olsa tregoi profesionalizmin e saj kur mori drejtimin e emisionit “Pushime on Top”, i cili që në sezonin e parë rezultoi një sukses teksa promovoi bukuritë e Shqipërisë nga veriu në jug.
I suksesshëm do të ishte edhe projekti i radhës “Hell’s Kitchen” apo emisioni “Shqipëria Live”, ku protagonistë janë qytetarët e thjeshtë me problemet e përditshmërisë.
Për Olsën televizioni është një sfidë, por ajo shkon më tej duke targetuar rrjetet sociale dhe duke i bërë prodhimet medietike më lehtë të aksesushme nga publiku.