Shpallja “non grata” nga SHBA/ Berisha: Nuk kanë për të pasur asnjë fakt në 100 vjet

Ish-kryeministri Sali Berisha, në foltoren për ringritjen e Partisë Demokratike, është ndaluar sot në Dibër ku është takuar me simpatizantë dhe mbështetës të tij.

Sa i përket shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-ja, ai tha se nuk do të pranojë fajësinë pa pasur faj, ndaj e ka çuar çështjen në gjykatë.

“Padita për shpifje personin që më dezinjoi “Non grata”, sill çdo fakt e dokument dhe unë marr çdo vendim. Por unë të pranoj fajësi pa faj? Kurrë. Aq sa jam i përulur para të vërtetës, aq jam i pathyeshëm para mashtrimeve, por mbroj dinjitetin që në 30 vite më kanë votuar, më kanë besuar, i kanë përfaqësuar, kush mendon ndryshe do gabojë se nuk pranoj kurrë një gjë të cilën nuk e kam kryer. Mbetem përjetësisht besimtar i dinjitetit njerëzor dhe i them kryetarit mos u përziej në këtë punë. Njoh me qindra mijëra personalitete në SHBA, Europë dhe kudo por njeriu mbi tokë nuk i kërkoj ndihmë. Do shkoj në gjykatë se edhe gjykate edhe ndihmë nuk shkon”, tha Berisha.

Berisha  shtoi se të vetmit që do përcaktojnë nëse do të hyjë në Kuvend janë zgjedhësit shqiptarë dhe ligji.

Pas kësaj, ata të cilët më shpallën “non grata”, meqë nuk kishin asnjë fakt dhe nuk kanë për të pasur 100 vjet, për të rënduar pozicionin tim politik, thanë se ky nuk duhet të futet në parlament. I them, sa ky vend të jetë i pavarur dhe Sovran, kurrë nuk do të ndodhë që cilido qoftë në këtë botë të mund të diktojë kush futet në parlament përveç zgjedhësve shqiptarë dhe ligjeve.

Po të nisesh sot, kësaj lugine të Drinit dhe të zbresësh deri tek kullat, gjen me mijëra shpirtra të rënë për këtë vend dhe sovranitetin e tij. S’mund të ndodhë. Ndaj i them, kryetar harroje. Pasi dështoi, përdori armën më të poshtër që mund të përdorë njeriu dhe që quhet pabesi. Nuk është një betejë për Sali Berishën. Nëse shkova në gjykatë, shkova për dinjitetin tim dhe të shqiptarëve. Nëse shkova në parlament, mbrojtja sovranitetin tim dhe të çdo shqiptari”, theksoi ish-kryeministri.