KE: Ballkani Perëndimor me pak përparim në rrugën drejt BE-së

Komisioni Evropian prezanton sot Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit.

Paketa e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, pritet të konstatojë vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Dokumenti do të paraqitet më vonë pasdite nga Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi – autor i paketës. Paketa do të mbulojë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe Turqia. Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur procesin e negociatave të pranimit, me Malin e Zi që ka hapur të gjithë kapitujt në këtë proces. Turqia po negocion gjithashtu anëtarësimin në BE, megjithëse në marrëdhënie të tendosura me institucionet e Brukselit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave. Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë në fund të listës sepse janë të vetmet vende që kanë perspektivë evropiane, por ende nuk kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE.

KE publikon këtë raport një herë në vit dhe tregon situatën në të gjitha fushat kryesore, ku reformat janë të nevojshme që këto vende të përparojnë në procesin e integrimit evropian.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një dokument, që si në vitet e mëparshme, paraqet një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, siç është sundimi i ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.

Këto raporte pritet të miratohen të martën nga Kolegji i Komisionerëve dhe të prezantohen para deputetëve të Parlamentit Evropian, nga Oliver Varhelyi, komisionari për zgjerim i BE-së.

KE: Kosova, pak progres në shumë fusha

Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.

Sipas KE-së, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën e tyre drejt BE-së.

Raporti tha se jostabiliteti politik dhe pandemia ndikuan në përparimin sa i përket zbatimit të agjendës së reformave evropiane të Kosovës, që sipas dokumentit ka qenë i kufizuar.

Prandaj Komisioni Evropian u bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës së evropiane.

Raporti i Progresit për Kosovën thekson jostabilitetin politik në Kosovë. Aty përmendet edhe zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe formimi i Qeverisë së Kosovës në muajin mars, por theksohet se në pjesën më të madhe të periudhës që përfshin ky raport, ka pasur një “atmosferë polarizuese politike”.

KE-ja po ashtu vë theksin te situata në veri të Kosovës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe thuhet se situata në këtë pjesë është ende sfiduese.

Bashkimi Evropian thotë se Kosova ka disa nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, por që janë në fazë të hershme.

“Gjatë periudhës së raportimit, është bërë përparim i kufizuar, përfshirë edhe hetimet dhe gjykimi i rasteve të nivelit të lartë”, thekson KE-ja. Po ashtu, në luftën kundër krimit të organizuar thuhet se është bërë përparim i kufizuar.

Komisioni Evropian, megjithatë tha se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, “veçanërisht në rehabilitimin dhe riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre”.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka kritika për sistemin gjyqësor, pasi administrimi i drejtësisë vlerësohet se vazhdon të jetë “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve politike”. Si pikë pozitive është parë Strategjia për Sundimin e Ligjit dhje Planin e Veprimit, që u miratua në gusht të vitit 2021.

Por, synimet e Kosovës për të bërë vetting në gjyqësor vetëm një herë është parë me “shqetësim” nga KE-ja.

Në raport po ashtu flitet për përparimin që ka bërë Kosova sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe rritjes së investimeve në energjinë e ripërtërishme, por “burimet e energjisë me bazë në qymyr vazhdojnë të jenë shqetësuese”.

KE-ja sërish ka thënë se reforma në administratën publike është urgjente.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Raporti i KE-së thotë se Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe ka pluralizëm të mediave. Megjithatë, ka shqetësime lidhur me fushatat e shpifjes, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve.

“Mungesa e vetëfinancimit të qëndrueshëm, të përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia Covid 19, i lë mendiat e ndjeshme ndaj interesave politike dhe biznesore. Transmetuesi publik po ashtu është i ndjeshëm ndaj ndikimit politik dhe duhet të gjendet një zgjidhje sa i përket financimit të tij”, thuhet në raport./ REL