Nis viti i ri akademik në vend/ Studentët rikthehen në auditorë, kusht vaksinimi anti-COVID ose testi negativ

Viti i ri akademik 2021-2022 nis sot për të gjithë studentët në vendin tonë, pas më shumë se një viti mësimi online.

Studentët dhe pedagogët do të rikthehen në auditorë duke paraqitur certifikatën e vaksinës, një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë ose duke paraqitur një test negativ.

Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha rreth gjysma e studentëve të këtij universiteti është vaksinuar.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të rinjve që të vaksinohen, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e saj, edhe pse e dinë rrezikun për humbjen e vitit akademik ata shpresojnë në ndryshimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që vaksina të mos jetë e detyrueshme për të zhvilluar mësim.

Mësohet se pikat e vaksinimit do të qëndrojnë hapur edhe në javën e parë të nisjes së vitit akademik.

Institucionet e arsimit të lartë njoftojnë studentët që nuk do të pranohen brenda ambienteve universitare në rast se nuk paraqesin kartën e vaksinimit, testin negative ose një vërtetim nga mjeku për problematikën shëndetësore që nuk kryhet vaksina.

Sipas rektorit, sot hyjnë ata që kanë bërë vetëm një dozë, por çfarë do të ndodhë këtë të hënë me studentët e pavaksinuar që nuk tregojnë tamponin negativ, është ende e paqartë.