Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ pranon mbi 5649 kuti me vota nga jashtë vendit

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë shprehen se janë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen më 17 tetor.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë në një konferencë për media se kanë pranuar, 5649 pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, raporton REL.

Ai po ashtu ka thënë se në orët e mëngjesit të 16 tetorit, nëpër komunat e Kosovës kanë nisur të gjitha materialet e nevojshme për ditën e zgjedhjeve.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Vota juaj ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse përmes votës, ju do të zgjidhni përfaqësuesit tuaj që do të qeverisin me komunën tuaj për katër vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai.

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.

Rrjeti i organizatave që merret me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë të shtunën se respektimi i masave për luftim të pandemisë së koronavirusit pothuajse është braktisur gjatë fushatës së zhvilluar për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Sipas këtij rrjeti, në mosrespektimin e masave kundër pandemisë, kanë pasur ndikim kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme në institucionet përkatëse.