Gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, gjashtë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore.
Incidentet vijnë pas aksionit kundër kontrabandës së Policisë dhe Doganës së Kosovës, që u prit me kundërshtim në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Aksioni kundër kontrabandës u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.
“Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, tha Kurti.
Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.
Si shkoi aksioni policor në veri?
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportuan se në Mitrovicë të Veriut, në orët e hershme të mëngjesit u dëgjuan sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thanë se në orët e mëngjesit nisën të dëgjoheshin edhe sirena e emergjencave në këtë komunë. Policia e Kosovës u panë edhe para farmacive në veri.
Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë. Është parë se qytetaret kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të zyrtarëve policorë. Ndërkohë, në afërsi të “Lagjes së Boshnjakëve” janë vendosur kamionët në njërën nga rrugët kryesore që lidhin pjesën jugore me atë verirore të qytetit.
Në Mitrovicë të Veriut turmat u shpërndanë, ndërkaq aksioni i Policisë vazhdoi edhe në Zveçan. Në Zveçan, Policia po ashtu hodhi gaz lotsjellës pasi qytetarët hodhën në drejtim të forcave të rendit gjësende të forta.
Sipas autoriteteve të rendit, aksioni nisi në orët e hershme të 13 tetorit dhe deri më tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë.
“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.