Dita e shumëpritur ka ardhur më në fund. Mbrëmjen e sotme kuqezinjtë o të përballen me Hungarinë në Budapest në një takim mjaft të rëndësishëm nisur nga pozita e vendit të dytë që jemi aktualisht në grupin tonë.
Në konferencë për shtyp një ditë përpara takimit Reja i vë theksin edhe një herë rëndësisë së ndeshjes për shkak edhe të objektivave që kemi.
Edi Reja: Ne sigurisht duam të vazhdojmë të mbajmë gjallë këtë ëndërr të madhe, për të qëndruar në vendin e dytë deri në fund, por unë e kam thënë shpesh, jo vetëm para kësaj ndeshjeje, që për ne janë të gjitha ndeshjet si një finale. Nëse humbasim, ne dalim jashtë objektivave dhe nuk jemi më në lojë. Është e rëndësishme si ndeshje për ne dhe e dimë shumë mirë forcën e Hungarisë, por unë bazohem te fakti që ne po kalojmë një moment pozitiv, sipas Top Channel.
Ka folur edhe kapiteni kuqezi, portieri Etrit Berisha.
Etrit Berisha: Mendoj që këto ndeshje që kemi bërë na kanë ndihmuar shumë dhe të shikojmë edhe nivelin e kundërshtarit. Jemi shumë të sigurt që mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe e kemi dëshmuar dhe kjo fitore me Hungarinë na ka ndihmuar shumë dhe na ka dhënë edhe më shumë vetëbesim për të vazhduar ëndrrën tonë. Unë shpresoj që nesër të marrim edhe një fitore të radhës që do të jetë diçka edhe më e madhe dhe shumë më shumë i afrohemi ëndrrës sonë dhe më pas edhe ndeshja ndaj Polonisë do jetë më e lehtë për ne.
Sa i përket formacionit tashmë ai është thuajse i përhershmi. Në portë do të jetë Berisha me treshen e mbrojtjes Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti, të ndihmuar nga Hysaj dhe Trashi. Në mesfushë Bare do të jetë sëbashku me Cekicin dhe Gjasulën për t’i lënë repartin e sulmit dyshes Cikalleshi-Uzuni.
Ndeshja mes Hungarisë dhe Shqipërisë do të startojë në orën 20:45.