Korrupsioni në RTSH, dosja e SPAK: Thoma Gëllçi favorizoi kompaninë fituese dhe zgjati afatet e dorëzimit të pajisjeve për kanalin ‘Agro’, përtej kontratës! Nisi procedurat 1 vit para miratimit nga AMA

Report Tv ka zbardhur dosjen e hetimit të SPAK që çoi në pranga ish drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçin. Sipas dosjes thuhet se Gëllçi favorizoi kompaninë fituese edhe pse sipas KLSH kjo kompani nuk i plotësonte kualifikime për të marrë pjesë në një tender të tillë.

Sipas KLSH dhe SPAK, Gëllçi ka bërë tender pa marrë ende miratimin e AMA-s për të hapur kanalin ‘Agro RTSH’ dhe ka bërë preventivin e projektit pa ditur nëse fondit prej 100 milionë lekësh do i miratohej nga Ministria e Financave. Një tjetër shkelje ishte edhe zgjatja e afatit të zbatimit të kontratës ndaj firmës fituese përtej 45 ditëve që ishte në kontratë. Sipas dosjes se siguruar nga Report Tv këto pajisje qe kushtuan afro 1 milion dollarë dhe duhej qe te dorëzoheshin ne RTSH për 45 dite, por ky afat është shtyrë nga Gëllçi.

Nga dy kompani që ishin në garë, sipas SPAK, Gëllçi ka skualifikuar padrejtësisht njërën prej tyre, ndërsa ka favorizuar një kompani tjetër që sipas raport të KLSH nuk përmbushte kritere për t’u kualifikuar. Duhet theksuar se firma e skualifikuar  ka bërë rekurs në Komisionin e Prokurimit Publik  dhe ka humbur, duke mos e kualifikuar as KPP si të përshtatshme për të marrë pjesë në tender, duke i dhënë kështu të drejtë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në RTSH që e ka skualifikuar.

Sipas SPAK, “ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH Thoma Gellço ka zhvilluar një procedurë prokurimi, për pajisje për  një kanal televiziv,(RTSH AGRO) përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e këtij kanali televiziv, gati një viti përpara marrjes së miratimit nga AMA dhe 2 vjet përpara fillimit të funksionimit të këtij kanali. Pajisjet e prokuruara pas hyrjes në magazinë, një pjesë e tyre i kanë kaluar njësisë Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH dhe një pjese tjetër ka kaluar në magazinat e qendrave vendore audiovizive Kukës, Gjirokastër, Shkodër, operatorëve sportivë,etj., ndërkohë që kanali AGRO ende nuk kishte dalë në transmetim”

Gjithashtu në dosje thuhet se ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH -së, “me  dashje ka kryer veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, që i kanë sjellë personave të tjerë, operatorit fitues përfitime materiale, duke dëmtuar interesat e ligjshme të operatorëve të tjerë ekonomikë që mund të jene vetëskualifikuar për shkak të mospërmbushjes së afatit 45 ditor si dhe keqmenaxhuar fondet publike, duke konsumuar kështu elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”.

Në pranga përfunduan edhe 3 punonjës të RTSH,  Juljan Tapi, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj,  anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët akuzohen për ‘’Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve ne tendera’ kryer në bashkëpunim.

Hetimi ka nisur fillimisht nga prokuroria e Tiranës dhe më pas i ka kaluar për kompetencë SPAK.  Dosja për arrestimin e tij është dërguar në SPAK nga gjyqtarja Flora Hajredinaj. Tenderi është zhvilluar në 2018, u bë për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), afro 1 mln dollarë me TVSH.

Thoma Gëllci u lirua nga detyra në 21 maj 2021.  Vendimi u mor nga Këshilli Drejtues i RTSH, me votimin pro të tetë anëtarëve.

Lista e pajisjeve të blera:

1. Sistem për lidhjen e kamerës me CCU dhe fibër optike.

2. Sistem slow motion ne 6 kanale HD.

3. Mixer video me 8 kanale HD dhe dopio ushqyes.

4. Ruter video 3G/HD 32×32 me gjithë panel kontrolli 32×32.

5. Shasi modulare për 10 module dhe dy blloqe ushqimi,

6. Modul për embedim HD-SDI 4 kanale analog audio, 2 kanale AES.

7. Modul shmederes video SD/HD/3G-SDI dy kanalesh 1×4 cme dalje pasive.

8. Konvertues sinjali video SD në HD dhe anasjelltas.