Itali/ Teatrot dhe kinematë me kapacitet të plotë që nga 11 tetori

Nga dita e hënë, 11 tetor, teatrot, kinematë dhe vendet ku zhvillohen aktivitetet kulturore në Itali do të jenë me kapacitet të plotë, pas kufizimit të aktiviteteve si pasojë e COVID.

Në vend vazhdon rënia e numrit të rasteve.

Me vendimin e marrë dje nga Këshilli i Ministrave dhe i cili u publikua sot në ‘Gazetën zyrtare’, teatrot, kinematë dhe vendet ku zhvillohen aktivitetet kulturore do të fillojnë të ofrojnë shërbim me kapacitet të plotë që nga dita e hënë më 11 tetor.

Po ashtu është vendosur që të rihapen sërish me kapacitet prej 75 për qind në ambiente të hapura dhe me 50 për qind në ambiente të mbyllura vendet e argëtimit si klubet e natës dhe diskotekat.

Ndërsa kapaciteti i shikuesve në stadiume nga 50 për qind do të rritet në 75 për qind.

Për ndjekësit që do të pranohen në vendet në fjalë do të jetë e nevojshme certifikata e “kartës së gjelbër” e nxjerrë në kuadër të luftës kundër COVID-19, certifikatë që dëshmon vaksinimin ose vërtetim se personi ka kaluar COVID-19 pak kohë më parë.

Komiteti Shkencor-Teknik i Koronavirusit (CTS) i kishte rekomanduar qeverisë italiane që kapaciteti i teatrove dhe kinemave të rritej në 80 për qind.

Për shkak të COVID-19 në 24 orët e fundit në vend kanë humbur jetën 30 persona ndërsa janë regjistruar 3.023 raste të reja me COVID-19.

Që kur pandemia u shfaq në Itali në shkurt 2020 e deri më tani kanë humbur jetën 131.228 persona ndërsa janë regjistruar 4.695.291 raste.