Sulm me bombë në një xhami në Afganistan/ Shkon në mbi 100 numri i të vdekurve dhe të plagosurve

Të paktën 100 persona elkanë humbur jetën dhe janë plagosur në një sulm me bombë në një xhami shiite gjatë namazit të xhumasë, në zonën Sayed Abad, në rajonin Kunduz në veri të Afganistanit.

Sulmi, i cili kishte në shënjestër një xhami shiite, ishte akti më vdekjeprurës i terrorizmit në vend pas largimit të forcave të huaja nga Afganistani.

Pasi SHBA-ja tërhoqi forcat e saj të fundit dhe u largua nga vendi më 31 gusht, shpërthimet në Afganistan u përqendruan në Jalalabad, qendra e provincës

Nangarhar, në lindje të kryeqytetit Kabul. Derisa shumica e atyre sulmeve kishin në shënjestër forcat talebane, sulmi i sotëm ishte më i dhunshmi, që synoi drejtpërdrejt civilët.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid tha se në zonë kanë mbërritur forcat talebane dhe se kanë filluar një hetim lidhur me sulmin.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë askush ndërkohë që dëshmitarët janë shprehur se ka qenë sulm vetëvrasës.

Shumicën e sulmeve kundër shiitëve në të kaluarën i ka marrë përsipër organizata terroriste DEASH.