Kryeministri Edi Rama, publikoi një video në rrjetin social “Facebook” me përgjigje për pyetjet e ndjekësve në lidhje me krizën energjetike që ka mbërthyer Europën.
Disa ditë më parë, vetë kryeministri pranoi se kriza e energjisë që ka mbërthyer gjithë Evropën, është e pashmangshme të mos ndikojë dhe në vendin tonë.
Rama shpjegon se pavarësisht që prodhojmë vetë energji, është e pamundur t’ia dalim pa import dhe pa u ndikuar nga bursa në tregut ndërkombëtar.
“Ne prodhojmë kur kemi reshje të mjaftueshme për mbushjen e hidrocentraleve dhe blejmë energji kur ka thatësirë, aq më tepër kur periudhat e thatësirës janë bërë më të gjta kohët e fundit si pasojë e ndryshimeve klimaterike. Prandaj, Shqipëria është e varur njësoj si vendet e tjera nga çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar”, tha ai.
Rama thotë se çmimet i cakton vetë tregu dhe jo shteti, në një shoqëri kapitaliste.
“Në shoqërinë kapitaliste, çmimin në treg e përcakton raporti kërkesë-ofertë, jo shteti, dhe për sa kohë blejmë në tregun ndërkombëtar, do të blejmë njësoj si Spanja, Gjermania e shtetet e tjera. Ne e morëm sektorin energjetik jo në gropë, por në humnerë. Pasi e ngritëm në këmbë, sot po investojmë për ta ngritur më lartë për futjen e energjisë nga uji, dielli dhe era”.
Pas një periudhë të gjatë thatësire, hidrocentralet në vendin tonë kanë prekur kuota minimale, ndërkohë që rikthimi i reshjeve, siç është parashikuar nga meteorologët, mund të përmirësojë situatën energjetike.