Kosovë/ Asnjë viktimë, 30 të infektuar me COVID në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë asnjë person i infektuar me koronavirus nuk ka vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të mbetet në 2.965. Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 30 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 160.309.

Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë kryer gjithsej 2.347 teste.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 94 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 155.671, ndërkohë, numri i rasteve aktive me COVID-19 është 1.676.

Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 10.736 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.407.966 doza të vaksinës. Deri më sot 588.481 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.