Hysaj: Luajmë për 6 pikë në këto dy ndeshje, në Hungari vetëm për fitore!

Elseid Hysaj është besimplotë se Shqipëria do të marrë një rezultat pozitiv në transfertën hungareze të së shtunës, duke nënvizuar në konferencën e radhës për shtyp të kombëtares shqiptare se kuqezinjtë i kanë të gjitha mundësitë për të tentuar kualifikimin në play-off.

Mbrojtësi i Lazios u shpreh se skuadra është gati për këtë sfidë, duke theksuar se djemtë janë përgatitur mjaft mirë, ndërsa tha se drejt Hungarisë do të shkojnë vetëm për fitore.

Gati për ndeshjen ndaj Hungarisë? – Skuadra është e gatshme për këtë ndeshje sepse siç e kemi parë edhe në ndeshjet e kaluara që kemi luajtur shumë mirë. Kemi analizuar edhe ndeshjen e kaluar me trajnerin dhe jemi duke përgatitur këtë ndeshje në mënyrë sa më të mirë të mundshme dhe besoj se jemi gati për këtë ndeshje.

Mbrojtja? – Me Poloninë kemi gabuar ne, e kemi thënë edhe kur mbaroi ndeshja, në disa raste. Por kemi studiuar Hungarinë sepse është një ndeshje e rëndësishme. Po nuk fituam këtë, me Poloninë është pak më ndryshe. Ne duhet të shkojmë tani në Hungari, ta fitojmë ndeshjen atje dhe pastaj të mendojmë mirë për Poloninë se si duhet të përballemi.

Me sa pikë do të jemi të kënaqur në këto dy ndeshje? – 6 pikë, ne shkojmë për 6 pikë. Me të gjithë këta lojtarë që kemi në grup, shkojmë motivisht shumë lart për t’i fituar të dyja sepse i kemi mundësitë. Duhet të besojmë te vetja jonë.

Hysaj ndaj Hungarisë? – Shpresoj që të japim maksimumin, mos të bëj gabime dhe shpresoj ndonjë gol për Cikalleshin apo sulmuesin që do të bëjë golin.

Presion për të fituar me Hungarinë? – Unë besoj se nuk do të jetë presion, por shpresoj që çunat ta marrin sa më “ vështirë” këtë ndeshje sepse me të vërtetë është një ndeshje e rëndësishme për ne, që të shkojmë të përqëndruar për të dhënë maksimumin dhe për të dalë më tre pikët./ Supersport