E pabesueshme, “Gjelat” përmbysin “Djajtë” dhe shkojnë në finale

Franca shkon në finale të edicionit të dytë të Nations League, ku e pret Spanja.

“Gjelat” realizuan një fitore të pabesueshme me përmbysje ndaj Belgjikës, e cila nga epërsia 2-0 e pjesës së parë në, minutën e 90-të e pa veten të eliminuar.

Një sfidë e pazakontë kjo e zhvilluar në “Allianz Stadium” të Torinos, ku duhet pranuar “Djajtë e kuq” nuk kishin fatin me vete në atë gol të Romelu Lukakut të anuluar nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje vetëm dy minuta pasi Theo Hernandez të jepte goditjen e “knock out”-it.

Një ndeshje me dy fytyra për Belgjikën, që dominoi gjatë fraksionit të parë, teksa që në minutën e katër detyroi portierin Hugo Lloris të bënte mrekullinë ndaj De Bruyne, ndërsa në të 37-tën zhbllokoi takimin me Carrascon.

Vetëm tri minuta më pas, Romelu Lukakun dyfishoi epërsinë, i shërbyer po nga De Bruyne. Në këtë rast nuk mjaftuan as dy Hernandez, Theo dhe Lucas, për të mbajtur nën kontroll sulmuesin e Chelsea-t.

U duk se Belgjika ishte e sigurt drejt finales, por “Gjelat” kishin rezervuar të papriturën në pjesën e dytë. Në minutën e 61-të Benzema shpiku një gol nga ata që vetëm ai di t’i bëjë, me një rrotullim të befasishëm brenda zonës.

Vetëm pesë minutë më vonë, Griezmann fitoi një 11-metërsh, falë ndërhyrjes së VAR-it, që u shndërrua në gol nga Mbappe.

Belgjika reagoi dy minuta para fundit me Lukakun, që nisi festën për golin e dytë personal, por gëzimin ia la në mes VAR-i, që evidentoi një pozicion jashtë për çështje centimetrash.

Nga porta e Francës, rreziku kaloi te zona e Belgjikës dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt Theo Hernandez realizoi golin e përmbysjes së madhe me një goditje të saktë, që u devijua por jo aq sa për ta nxjerrë nga porta nga Courtois.

Shpërthen entuziazmi në stolin e Francës dhe mes tifozëve të “Gjelave”, trishtim në sytë e “Djajve të Kuq”, që humbën një sfidë të cilën menduan ndoshta para kohe se e kishin fituar./ Supersport