CIA njoftoi të enjten se do të krijojë një grup pune të nivelit të lartë për Kinën, në kuadrin e përpjekjeve më të gjera të qeverisë amerikane për t’iu kundërvënë ndikimit të Pekinit.
Grupi i punës do të jetë një nga rreth dymbëdhjetë qendrat me mision të caktuar që menaxhon CIA dhe që do të zhvillojë takime të përjavshme në nivel drejtues për të orientuar strategjinë e agjencisë ndaj Kinës, raporton VOA. CIA gjithashtu njoftoi se do të shtojë përpjekjet për të punësuar më shumë folës të gjuhës kineze, si dhe do të krijojë një tjetër qendër që do të përqëndrohet tek teknologjitë e reja dhe çështjet globale, si ndryshimet klimatike dhe shëndeti publik.
Administrata e Presidentit Joe Biden ka denoncuar atë që e shikon si agresion kinez për një sërë çështjesh të sigurisë dhe ekonomisë, ndërsa po kërkon të arrijë dakortësi për çështje si ndryshimet klimatike dhe armatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Zyrtarët më të lartë të administratës kanë sinjalizuar herë pas here për një zhvendosje të burimeve drejt një konkurence me Kinën, ndërsa do të ruajnë fokusin ndaj terrorizmit.
Kina përbën një sfidë veçanërisht të vështirë për komunitetin amerikan të zbulimit për shkak të izolimit të udhëheqjes së Partisë Komuniste, përmasave të ushtrisë së saj dhe shërbimeve të sigurisë, si dhe zhvillimin e teknologjive të avancuara që mund t’i kundërvihen operacioneve të zbulimit. Në një deklaratë të enjten, Drejtori i CIA-s, William Burns, e quan qeverinë kineze “kërcënimin më të rëndësishëm gjeopolitik me të cilin përballemi në shekullin e 21-të”.
“Përgjatë gjithë historisë tonë, CIA është treguar e gatshme të përballet me të gjitha sfidat që janë shfaqur”, thotë zoti Burns. “Dhe tashmë në përballjen me testin më të vështirë gjeopolitik në një epokë të re rivaliteti të fuqive të mëdha, CIA do të jetë në ballë të këtyre përpjekjeve“.