Ceremonia e betimit/ Gledis Nano në krye të Policisë së Shtetit

Mëngjesin e sotëm u mbajt ceremonia e prezantimit të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili zëvendëson Ardi Veliu.

Në fjalën e tij Nano theksoi se synohet rritja e aftësive profesionale dhe operacionale. Nano në ceremoninë e betimit ka prezantuar prioritet e punës së tij në krye të këtij institucioni të rëndësishëm që bazohet në 4 shtylla kryesore.

Ai është shprehur se në këto dy dekada në radhët e Policisë së Shtetit, nga pozicioni më i ulët e deri në detyra të larta, ka kuptuar se ky institucion është një pjesë kryesore e jetës së tij që kërkon angazhim dhe përkushtim të lartë në çdo detyrë.

Kreu i ri i Policisë së Shtetit theksoi se synohet një polici më e trajnuar, me kapacitete të shtuara në fushën e digjitalizimit, mirë menaxhim të çdo burimi njerëzor bazuar në meritokraci, të cilat janë parakushtet për një hap cilësor.

I nderuar zoti Ministër i Brendshëm, Të nderuar drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Të nderuar përfaqësues të OSBE-së, ICITAP-it dhe PAMECA-s

Të nderuar kolegë e qytetarë, Besimi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, përtej privilegjit, më ngarkon me përgjegjësinë për të qenë në lartësinë e detyrës në shërbim të qytetarëve dhe në nderim me përulje ndaj mundit, sakrificës dhe gjakut të derdhur nga çdo dëshmor i përjetësuar në yll në memorialin e kujtesës së Policisë së Shtetit. Ndaj gjej rastin, së pari t’u shpreh një falënderim të posaçëm, Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit të Shqipërisë, për besimin e dhënë në këtë detyrë të re, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Profesioni im nuk ishte zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai im, ish-oficer policie. Në këto dy dekada në radhët e Policisë së Shtetit, nga pozicioni më i ulët e deri në detyra të larta, kam kuptuar se ky institucion është një pjesë kryesore e jetës sime, që kërkon angazhim dhe përkushtim të lartë në çdo detyrë. Sfidat për policinë janë të shumëfishta, puna dhe rezultatet pozitive të arritura nga paraardhësi im z. Ardi Veliu kanë nevojë të çohen përpara. Qytetarët presin nga Policia e Shtetit standarde të tjera reagimi dhe sjelljeje në zgjidhjen e problemeve të tyre. Dhe ne do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur. Por në të njëjtën kohë, kërkoj prej tyre ta konsiderojnë Organizatën tonë si një partner. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm në suksesin e punës tonë. Ndaj, do të jem gjithnjë inkurajues që bashkëpunimi qytetar-polici, sa të vijë e të forcohet edhe më shumë. Gjithashtu, prioriteti im do të jetë intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend, partnerët ndërkombëtarë dhe misionet që asistojnë Policinë shqiptare.

Ne synojmë një polici më të trajnuar, me kapacitete të shtuara në fushën e dixhitalizimit, mirëmenaxhim të çdo burimi njerëzor bazuar në meritokraci, të cilat janë parakushtet për një hap cilësor, çka do ta rendiste shpejt Policinë shqiptare, cilësisht, krah policive evropiane. Unë ju garantoj se me angazhimin tim maksimal do të vijoj më tej në çuarjen përpara të reformave në Policinë e Shtetit, duke synuar rritjen e aftësive profesionale dhe operacionale, në përmbushje të misionit kushtetues që ajo ka. Nuk dua të ndalem më gjatë në këtë fjalë përshëndetëse, por në ditën e parë të detyrës time si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, dua të shfrytëzoj rastin e t’i uroj çdo kolegu suksese në përmbushjen e angazhimeve që burojnë nga respektimi i ligjit. Të gjithë ne jemi betuar përpara flamurit ditën që kemi marrë detyrën, ndaj kërkoj angazhimin tuaj maksimal në realizimin e detyrave funksionale, sipas betimit, që të gjithë ne kemi bërë! Edhe njëherë, ju faleminderit për besimin e dhënë!”, tha Nano.