Arrestohet 30-vjeçari i shpallur në kërkim për vrasje, sekuestrohen 80 kg drogë dhe armë zjarri

Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje u arrestua në Shkodër.

Gjatë arrestimit, Luverdo Kolës iu gjet edhe një armë zjarri pistoletë që e mbante me vete.

Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit të koduar “Alvana”, i cili u zhvillua nga strukturat hetimore të policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe ato Operacionale, ku dhe u sekuestruan edhe 80 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni luftarak.

Po ashtu, u shpall në kërkim edhe njëri prej bashkëpunëtorëve, shtetasi Gezim (Gjin) Çakaj 52 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i shpallur në kërkim, pasi me vendimin e datës 24.09.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër është dënuar me 4 vite burgim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në momentin që janë afruar shërbimet policore, duke përfituar nga terreni i pyllëzuar, është larguar.

Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni luftarak.