Xhudistja Erza Muminovic fiton medalje të bronztë në Kampionatin Botëror U21

Xhudistja kosovare, Erza Muminoviq ka fituar medalje të bronztë në kuadër të Kampionatit Botëror U21 të xhudos, që po mbahet në Olbia të Italisë.

Komiteti Olimpik i Kosovës tha se Erza Muminoviq ka fituar tri luftëra, ndërsa një tjetër e ka kaluar pa luftë në kategorinë -52 kg.

Trajneri kosovar i xhudos Driton Kuka, konsideroi se ishte një ditë e shkëlqyeshme për Erzën, e cila fitoi medaljen e saj të parë botërore.

“Mposhti garuesen nga Mongolia, atë nga SHBA-ja dhe nga Azerbajxhani, ndërsa pas arritjes në gjysmëfinale u mposht nga italiania, tre me dy, me dënime”, shkroi Kuka në rrjetet sociale.

Trajneri Kuka tha se në luftën për medaljen e bronztë, Erza Muminoviq ka mposhtur xhudisten spanjolle Ariane Toro Soler “në mënyrë të sigurt dhe i siguroj vendit tonë medaljen botërore”.

Ekipi i xhudos së Kosovës përpos xhudistet Erza Muminoviq, po merr pjesë në këtë garë edhe me xhudisten Fationa Kasapi në kategorinë -57kg e cila do të ndeshet të enjten dhe në ndeshjen e parë do të takohet me ukrainasen, Vladyslava Snitko.

Në këtë Kampionat po marrin pjesë 72 shtete, 495 garues, 285 meshkuj dhe 210 femra.