“Çmimet do stabilizohen”/ Banka e Shqipërisë: Efekti do jetë kalimtar, në fillim të 2022 stabilizohet

Guvernatori Gent Sejko ka komentuar situatën makroekonomike në vend pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në lidhje me temën më aktuale për xhepat e qytetarëve, ajo e rritjes së çmimeve , Sejko u shpreh se ajo do të jetë e ndjeshme dhe mund të përbëjë një rrezik për rimëkëmbjen e ekonomisë, por në parashikimet fillestare ajo mbetet kalimtare.  Sipas Bankës çmimet pritet të stabilizohen fillimin e vitit të ardhshëm, sipas Top Channel.

“Çmimet e lëndëve të para, të ushqimeve dhe produkteve energjetike kanë njohur një rritje të shpejtë muajve të fundit. Kjo rritje ka pasqyruar si rimëkëmbjen e kërkesës botërore ashtu edhe vështirësitë që ka pasur niveli i ofertës në nivelet e parakrizës. Ky ndikim pritet të jetë kalimtar, por ai përbën një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe potencialisht për shpejtsinë rimëkëmbjen ekonomike. Këshilli Mbikëqyrës është i gatshëm të rishikojë politikën monetare në mënyrë që ai të jetë në përputhje me objektivin tonë të inflacionit.”

Guvernatori më tej ka komentuar edhe nivelin e punësimit në vend, duke e konsideruar ende të dobët:

“Pavarësisht tendencave përmirësuese niveli i punësimit vazhdon të jetë më i ulët dhe shkalla e papunësisë më e lartë se nivelet para pandemisë. Kthimi i ekonomisë në punësim të plotë duket se kërkon më shumë kohë dhe mbështetje të vazhduar me stimuj makroekonomikë.”

Guvernatori u shpreh se rritja ekonomike në Shqipëri sipas parashikimeve pritet të jetë në nivelin 7%, afërsisht i njëjti edhe me parashikimet e Bankës Botërore.