Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestro ndaj pasurive të Arben Isufit, i njohur ndryshe si ‘Ben Qimja’. SPAK, i kontaktuar nga Report Tv konfirmoi lajmin, ndërsa më shumë detaje pritet të bëhen pubilke ditën e nesërme.
‘Ben Qimja’ rezulton pronar i disa bizneseve dhe sipërfaqesh toke, që janë vlerësuar se janë produkte të krimit dhe të pajustifikuara financiarisht nga Isufaj.
Në shkurt të vitit të kaluar, OFL i nisi Isufajt edhe formularin e vetëdeklarimit të pasurive.
‘Ben Qimja’ njihet si njeriu që është përballur disa herë me policinë, prokurorinë dhe gjykatat, ku akuzat kanë qenë për trafik ndërkombëtar droge heroinë dhe kokainë nga Holanda, etj, ndërsa tashmë është i lirë pasi pak vite më parë u rrëzua edhe kërkesa e Italisë për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj për trafik kokaine.
Disa herë ai është arrestuar në Shqipëri me sasi të mëdha marijuane, ndërsa ka pasur edhe përballje me policinë. Por në vitin 2009 u vendos edhe fati i tij përfundimtar kur Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e la të lirë për mungesë provash.
Përsa i përket pasurisë, dyshohet se ai ka mundur të përfitojë shuma të konsiderueshme parash nga aktiviteti kriminal, të cilat dyshohet se i ka investuar në Shqipëri, ku një pjesë të pronave janë të rregjistruara në emër personave që janë rreth familjar.