Pas konferencës zyrtare të teknikut Edi Reja, pasditen e të hënës kombëtarja e Shqipërisë ka zbritur në seancën e parë stërvitore në prag të takimit përballë Hungarisë.
Seanca e parë kishte një karakter taktik, pa sforco, për vetë faktin se pjesa më e madhe e lojtarëve sapo janë bashkuar me grupin, ndërsa ka dhe prej atyre që në fundjavë luajtën 90 minuta të plota në kampionatet e tyre, si Berat Gjimshiti dhe Rei Manaj. Madje mbrojtësi i Atalantës ishte i fundit që iu bashkua skuadrës pasi, klubi bergamask mbylli javën e 7-të në Serie A.
Në këtë grumbullim, siç dihet tashmë do të mungojnë Laçi dhe Abrashi, ndërsa në seancat kuq e zi janë rikthyer Veseli, Dermaku, Lenjani dhe Balliu. Ajo çka shqetëson teknikun Reja, është dëmtimi i Ismajlit, i cili ende është në pikëpyetje dhe pritet të vlerësohet gjendja e tij.
Ndërsa sa i përket portës, balotazhi do të jetë përsëri midis dyshes Berisha dhe Strakosha, të cilët ndryshe nga pjesa tjetër e grupit, seancën e parë stërvitore e nisën me ngarkesën e duhur.
Në fokus është Hungaria, por koha e shkurtër që do të këtë në dispozicion kombëtarja kuq e zi, mund të bëjë që stafi teknik dhe tekniku Reja, gjatë javës të mendojnë edhe për Poloninë, natyrisht për të krijuar një ide, pasi në harkun e 3 ditëve Shqipëria do të luajë të dyja takimet dhe për më tepër i duhet të përshkruaj edhe shumë kilometra.
Paraditen e të premtës kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Hungarisë , ndërsa takimi do të luhet të shtunën e 9 tetorit ndërsa menjëherë pas ndeshjes, pritet që delegacioni i kuqezinjve të fluturojë menjëherë drejt Shqipërisë./ Supersport