Nga sot fillon mbulimi i targave të Kosovës dhe Serbisë me letër ngjitëse

Targat e automjeteve të Kosovës por edhe të Serbisë do të mbulohen me letra ngjitëse që të mos duken simbolet shtetërore të të dyjave vendeve.

Kjo është pika e dytë e marrëveshjes për targat që u arrit javën që lamë pas në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të shtunën u larguan edhe kamionët, çadrat dhe zhavorri i cili ishte vendosur në pikën kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë.

Pas largimit të protestuesve të cilët u vendosen me 20 shtator kur edhe Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat, nga aty u larguan edhe Njësia e Speciale.

Sipas marrëveshjes,KFOR-i do të qëndrojë dy javë pranë pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjakë.

Ndërsa pika e tretë e marrëveshjes është që “Një grup pune i përbërë nga përfaqësues të BE-së, palës së Prishtinës dhe Beogradit dhe i kryesuar nga BE-ja do të krijohet për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së.”

Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021, në Bruksel.