Autori i vrasjes së oficerit të policisë në Lezhë, Aldi Rama ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Aldi Rama dje pasi refuzoi kontrollin e policisë qëlloi me armën tip pistoletë TT oficerin Saimir Hoxha.
Plumbat e goditën në zemër policin, i cili humbi jetën rrugës për në spital. Vrasësi rrëmbeu makinën dhe u përpoq të largohej, disa qindra metra më pas braktisi atë dhe u fut në një zonë moçalore.
Për kapjen e 21-vjeçarit u angazhuan forca të shumta policie ku në ndihmë ishte edhe një helikopter.
Pas 6 orësh kërkim, vrasësi është zbuluar. Duke mos pranuar t’i dorëzohej policisë Aldi Rama ka qëlluar mbi veten. Plumbi i marrë në kokë i ka shkaktuar dëmtime serioze.
Fillimisht ai u dërgua në spitalin e Lezhës dhe më pas për në spitalin e Traumës në Tiranë ku dhe nuk mundi të mbijetojë.
Autori i ngjarjes në muajin maj ishte arrestuar me një sasi droge dhe gjykata e la në arrest shtëpie, të cilin ai e kishte thyer.
Edhe në vitin 2019, ai ishte arrestuar për drogë si dhe ishte kallëzuar penalisht edhe për dhunë nga një vajzë.
Aldi Rama ekspozonte edhe në rrjetet sociale armët që mbante me vete.