Rikthehet Topi i Artë, caktohet data e ceremonisë së çmimit prestigjoz

“France Football” anuloi dhënien e çmimit prestigjoz “Topi i Artë” vitin e kaluar, për shkak të një sezoni jo normal, të ndikuar ndjeshëm nga pandemia, megjithatë gjithçka i rikthehet normalitetit këtë vit.

Kështu është vendosur që ceremonia e dhënies së trofeut më prestigjoz individual në futboll, të mbahet pikërisht mbrëmjen e 29 nëntorit, duke nisur nga ora 20:30 në “Theatre du Chatelet” të Parisit.

Ceremonia do të prezantohet nga ish sulmuesi i Chelsea-t dhe Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, teksa do të akordohen çmimet Topi i Artë për meshkuj dhe femra, trofeu Kopa për të riun më të mirë dhe trofeu Lev Yashin për portierin më të mirë.

Të nominuarit për këto çmime do të zbulohen pasditen e 8 tetorit në kanalet e grupit mediatik “L’Equipe”, ndërsa vlen të theksohet se fituesit e fundit të këtyre trofeve janë pikërisht Lionel Messi për meshkuj dhe Megan Rapinoe për femra.

Argjentinasi është pretendent për të fituar këtë trofe edhe këtë vit, çka do ta çonte në 7 numrin e Topave të Artë të tij, megjithatë garën duket se do ta ketë me italianin Jorginho, i cili përveçse ka fituar me përfaqësuesen, u shpall edhe kampion Europe me Chelsea-n./ Supersport