Ekzekutoi oficerin e Krimeve në Lezhë/ Qëlloi veten me armë, 21-vjeçari në gjendje kritike për jetën niset drejt Traumës në Tiranë

Autori i vrasjes së oficerit të Krimeve në Lezhë, Aldi Rama ka tentuar të vrasë edhe veten.

I riu ka qëlluar me armë në kokë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Nga urgjenca e Lezhës ku ishte i intubuar është nisur drejt Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

21-vjeçari ishte fshehur në zonën e kënetës në “Lagunen Vain”, ndërsa policët i kanë bërë thirrje që të dorëzohej.

Në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular.

Sipas informacioneve, vrasja e Saimir Hoxhës ka ndodhur në një postbllok të ngritur nga policia në Ishull Lezhë gjatë një aksioni antidrogë. Policia ka vënë re një makinë të dyshimtë dhe i ka kërkuar që të ndalonte.

Ndërsa oficeri Saimir Hoxha ka shkuar për ta pyetur e kërkuar dokumentacionin e nevojshëm, i riu ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar për vdekje.

Më pas autori është larguar me makinën, por rreth 3 minuta larg vendit të ngjarjes është gjetur mjeti i tij. Kjo ka krijuar dyshimet se autori është larguar në këmbë.

Policia e Lezhës ndihmuar nga forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shkuan në vendin e ngjarjes dhe punuan për kapjen e autorit.

Policia e Shtetit e ndihmuar edhe me helikopterë në ajër, ofroi 20 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së Saimir Hoxhës.