Situata në veri të Kosovës, Rama: Avionët vijnë vërdallë për ushqim propagandistik në Serbi

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me homologun e tij Albin Kurti,komentoi situatën aktuale në veriun e Kosovës. Prej një jave kufiri i Kosovës me Serbinë, në Bërnjak dhe Jerinjë është bllokuar për shkak të reciprocitetit të targave.

Rama tha se lufta mes Kosovës dhe Serbisë ka mbaruar dhe se Kosova e ka fituar atë. Sipas tij avionët që tashmë fluturojnë në veri janë për ushqim propagandistik në Serbi.

Lufta ka mbaruar dhe avionët që vijnë vërdallë atje janë për ushqim propagandistik në Serbi. I thonë një fjale vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh gjaku, familja, e shkuara dhe me fqinjin të lidh fakti se e ke aty sido të jetë. Gjyshja ime thoshte nuk ka shtëpi të lumtur me fqinjë të pakënaqur. Duhet t’i bëjmë të gjitha përpjekjet dhe përpjekja për Ballkanin e Hapur nuk e eklipson betejën për njohjen e Kosovës”, tha Rama.

Rama i dha të drejtë qeverisë Kurti për reciprocitetin e targave dhe bëri thirrje për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë.

“Më vjen fort mirë të vizitoj Prishtinën pas asamblesë së OKB ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës sonë në Njju Jork dhe mbetet e tillë. Po ashtu një nga përparësitë e Shqipërisë si anëtare e OKB do të jetë pikërisht nxitja e njohjes nga të gjithë e realitetit të Kosovës si përmbyllje e natyrshme edhe formalisht e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Është Serbia që duhet ta njohë dhe është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të çlirimit përfundimtar nga e shkuara, jemi dëshmitar të manovrave teatrale në kufi me Kosovën.

Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovën sikundër pretendohet nga Beogradi zyrtar, madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vjet më parë sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që do mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serb në Kosovë. Në fakt qytetarët serb në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje ju paguhen edhe faturat e energjisë elektrike si askujt askund, jo vetëm në Ballkan por edhe në botë.

Ato manovra sjellin në skenë hijen e së shkuarës dhe nxisin vandalizëm të institucioneve që janë për t’i shërbyer qytetarëve serb që janë pengje të stanacionit të dialogut së Serbisë dhe Ksoovës. Targat janë e drejtë legjitime por dhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive respektive. Qëndrimi i Shqipërisë, të cilin e gjykoj të drejtë dhe të pandryshuar që nga çasti i parë kur u shfaq ky konflikt, e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë dhe Serbia nuk ka asnjë të drejtë të kthejë targat dhe “mizën ta bëjë buall” a thua se Kosova po paralajmëron luftë kur në fakt po kërkon zbatimin e marrëveshjes.

Dua të përsëris qëndrimin tonë se tani më që problemi është shtruar dhe askush nuk e diskuton domosdoshmërinë e regjimit të reciprociteti të targave duhet të bëhet kujdes se nuk cenohet siguria dhe të mos kthehet problem mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Shqipëria e ndan bindjen se problemi të zgjidhet me dialog dhe besoj se mund të ndodhë duke shmangur konfliktin. Natyrisht që edhe këtu duhet të jemi shumë të qartë se i takon qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës si do ta trajtojnë këtë situatë delikate, por mund të them se është mundësi e mirë për të treguar gatishmërinë për dialog të barabartë dhe për ta çuar në një nivel të ri dhe me mbështetjen e miqve dhe partnerëve strategjik të Kosovës që të zëvendësohen forcat ushtarake me forcën e arsyes”, tha Rama.