Kosova ka të drejtë dhe kjo është e qartë, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për reciprocitetin e targave që Kosova i ka vendosur Serbisë.
Në vizitën e tij zyrtare në Kosova, Rama tha sot se Serbia me provokimet në kufi po nxit “nacionalizmin vandal”.
“Nuk kam pasur një bisedë me Vuçiç sepse këtu nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar. E drejta është me Kosovën dhe kaq, kjo është shumë e qartë. Ne jemi në krah të Kosovës siç është gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe leximi i çuarjes së njësive speciale si një arsye për të bërë teatër në Serbi është leximi më i gabuar.
Përfytyroni dhe ta përfytyrojë edhe vllau jem atje sikur të kishte ndodhur diçka në kushtet kur po sprovohej qëndrueshmëria e shtetit. I takon Kurtit të marrë vendimet e duhura që kjo të shërbejë për ta çuar para dialogun dhe të mos ngrijë konfliktin, Nuk duhet ta harrojmë çfarë ndodhi me tarifën 100%. E kam mbështetur si një klithmë të drejtë për të shtuar një problem të drejtë, por ajo tarifë u kthye në litar në këmbët e Kosovës e kaloi nga një akt për të shtruar problemin në një problem më të madh se vetë problemi“, u shpreh kryeministri shqiptar.
Ai foli dhe për “Open Balkan” dhe ndryshe nga herët e kaluara kur e ka trajtuar me tone të ashpra mospjesëmarrjen e Kosovës, sot theksoi se kjo nuk do të ndikojë në marrëdhënies mes dy qeverive.
Rama kritikoi BE-në për vonesën në liberalizimin e vizave për Kosovën dhe nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë.