Barça “gjuetare” e talenteve, “fikson” 17-vjeçarin suedez

Barcelona është e vëmendshme ndaj talenteve të reja.

Pasi mbylli marrëveshjen me Rapidin e Vjenës për huazimin me opsion blerjen e sulmuesit austriak Yusuf Demir, i cili tashmë po luan në ekipin e parë, Barça ka siguruar nënshkrimin e mesfushorit 17-vjeçar turk, Emre Demir, nga Kayserispor.

Nga Suedia tani po flitet për interesin e “blaugranave” për një tjetër mesfushor në rritje e sipër, 17-vjeçarin e Hammarby-t, Williot Swedberg. Talenti në fjalë është ndjekur edhe nga PSG. Mediet suedeze kanë zbuluar se Barça ka hedhur hapa konkretë dhe familja e lojtarit po kërkon akomodim në Barcelonë.

Williot mësohet se ka jetuar më parë në Spanjë dhe flet mirë spanjisht, kështu që do të ishte shumë e lehtë përshtatja për të. Vetë futbollisti pranoi se është e vështirë të refuzosh një mundësi të tillë nëse të shfaqet. “Barcelona nuk është një klub dosido. Nuk do t’i thosha jo Barcelonës, edhe pse Valencia është skuadra ime e preferuar në Spanjë, por unë ende nuk jam në atë nivel,” siguroi talenti i ri.

Sidoqoftë, Hammarby tani për tani nuk ka në plan ta shesë. “Është logjike që klubet e mëdha ta ndjekin Swedberg për atë që ai po bën në moshën e tij”, tha Jesper Jansson, drejtor sportiv i Hammarby./ Supersport