Situata e tensionuar në veri të Kosovës/ Kurti takim me opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përfunduar takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ky takim vjen pas tensionimit të situatës në veri të vendit, pas vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për çështjen e targave.

Të dy liderët e opozitës nuk kanë dashur të flasin për media pas takimit. Ndërkohë, në Qeveri thonë se lidhur me takimin do t’i informojmë mediat dhe publikun nëpërmjet një komunikate.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.

“Së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit. Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa. Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim. Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë,  veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve”, ka shkruar ai.