Progni e Kelmendi i japin fitoren Gjilanit në derbi, Prishtina fiton thellë përballë Feronikelit

Derbi i Anamoravës është i Gjilanit. Në raundin e gjashtë të Superligës së Kosovës “skifterët” fituan 2-0 përballë “Intelektualëve” në këtë supersfidë të zhvendosur në stadiumin e Prishtinës, “Fadil Vokrri”.

Gerhard Progni shënoi golin e epërsisë fillestare me një ekzekutim perfekt të një goditjeje të lirë në minutën e 66-të, ndërsa një minutë para fundit të kohës së rregullt Shend Kelmendi i dha goditjen përfundimtare Dritës.

Prishtina, ndërkohë fitoi thellë 0-4 në fushën e Feronikelit me gola të Krasniqit, Kryeziut, Otto Johnit dhe Tolajt, ndërsa takimi mes Malishevës dhe Ballkanit u mbyll me rrjeta të paprekura.

Në kryesim mbetet Ballkani me 12 pikë, i ndjekur nga Malisheva, Drita e Drenica me nga 11 pikë. Në dy vendet e fundit janë Dukagjini dhe Llapi me nga 3 pikë./ Supersport