Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë atje.
Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale dhe duke hequr bllokadat rrugore”.
Borrell, përmes një deklarate, ka thënë se çdo provokim i mëtejmë apo veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, do të jenë të papranueshme.
“Si liderët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë janë përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë e komuniteteve lokale. Këtë qëndrim ia kam bërë të ditur edhe presidentit (serb, Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti gjatë bisedave të zhvilluara kësaj jave”, tha ai.
Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që çështjet e hapura, përfshirë atë lidhur me lirinë e lëvizjes t’i zgjidhin përmes dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të shtunën se vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Reagimi i Borrellit vjen vetëm një ditë pasi Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulin tensionet në veri të Kosovës.
“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar në Twitter, Stoltenberg.