Tensionet në veri të Kosovës/ Osmani: Serbia, burimi kryesor i destabilizimit në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.

Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë, tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e ‘botës serbe’, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, shkroi Osmani në rrjetin social Faceebook.

Gjatë natës u dogjën dy qendra të regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan. Në një deklaratë për mediet, Kurti kërkoi që “faktori ndërkombëtar të mos mbyllë sytë ndaj regjimit autokrat në Serbi”.

Për të gjashtën ditë radhazi, pikat kufitare e Jarinjës dhe Bërnjakut në Kosovë janë të bllokuara. Protestuesit serbë kundërshtojnë me ngulm reciprocitetin e targave, që i detyron ata të vendosin targa provizore “RKS” kur të hyjnë në territorin e Kosovës.