“Më ke shpallur ‘non grata’ në vendin tënd por në parlament hyj kur dua” ! Berisha i përgjigjet ambasadores Kim

Nuk e kisha menduar kurrë që një përfaqësues i SHBA-së do të thoshte votoni kë të doni, por ju them unë se kush hyn në Parlament, tha ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës me simpatizantët demokratë.

Nga foltorja, siç e quan ai vetë, ish-lideri i demokratëve iu përgjigj ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Ne shqiptarët jemi të parët që i detyrohemi Amerikës për sovranitetin. Shqipëria u rikthye e pavarur, siç e shpalli Ismail Qemali, falë SHBA-së. Edhe Kosova është e pavarur falë amerikanëve. Por, burrat e mëdhenj të kombit amerikan nuk do të kishin imagjinuar kurrë që një përfaqësues i tyre do të thoshte “votoni kë të doni, por ju them unë se kush hyn në Parlament.

Dakord, më ke shpallur “non grata” në vendin tënd, por hyj apo jo unë në Parlamentin e vendit tim, këtë e vendosin qytetarët shqiptarë. Hyrja ime në Parlament mbrojti sovranitetin dhe dinjitetin e vendit tim”, tha Berisha.

Ish-kryeministri u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në muajin maj, por ambasadorja Kim shkoi më tej kur “këshilloi” kryesinë e PD-së të mos lejojë hyrjen e Berishës në kuvendin e Shqipërisë.