Teuta–Dinamo, “Nëndetësja” kërkon konfirmimin para derbit

Kampionët e vendit përballë një emri të madh të rikthyer në elitë me ambiciet maksimale.

Teuta-Dinamo është një ndër sfidat më të rëndësishme të javës së tretë të Abissnet Kategoria Superiore. Bregdetarët e Edi Martinit e kanë nisur sezonin si duhet, pas triumfit në Superkupë, fitorja ndaj Partizanit dhe pastaj një barazim i arritur në inferioritet numerik në Shkodër.

Morali në kampin e Teutës është i lartë. Dinamo ndërkohë vjen në këtë sfidë me detyrimin për të reaguar. Pas barazimit me Laçin, ka ardhur befasia në Kupë përballë Erzenit, ku blutë u mundën 1-0, por gjithsesi kanë të gjitha mundësitë për ta përmbysur rezultatin në kthim.

E gjithë vëmendja është te kjo sfidë me Teutën, ambient i njohur për Bledi Shkëmbin që i ka drejtuar më parë bregdetarët dhe tani ka marrë misionin për të ringritur aty ku i takon Dinamon. Në kampin bregdetar, lajme të mira për Martinin, që ka rikuperuar mbrojtësin Ivanovic dhe ka të gatshëm edhe Plakun e vetmja mungesë ajo e Todorovskit të ndëshkuar me karton të kuq me Vllazninë, që me shumë mundësi mund t’i hapë dyert e formacionit titullar Hektor Idrizajt.

Për Dinamon është një sfidë rëndësia e së cilës rritet edhe për faktin se në takimin pasardhës vjen derbi i madh me Partizanin, një takim ku blutë natyrisht duan të shkojnë me frymën e duhur./ Supersport