Shqiptari ndihmoi milionerin e arratisur të kriptomonedhës, Faruk Fatih Özer/ Arrestohet gjatë mesnatës Edevaldo Haxhiu

Milioneri i arratisur i kriptomonedhës turke, Faruk Fatih Özer

Edevaldo Haxhiu, nipi i Armand Dukës, Presidentit të Federatës Shqiptare, i cili ndihmoi milionerin e kriptomonedhës turke, Faruk Fatih Özer gjatë arratisjes është arrestuar.

Sipas medias turke “Sabah”,  Haxhiu, i cili mori Özer nga aeroporti në Tiranë dhe e dërgoi në hotel, u arrestua nga policia e Tiranës në orën 00:30 gjatë mesnatës.

Mësohet se ai  nuk i ka pranuar akuzat duke u shprehur se nuk e njihte Fatih Ozerin dhe se akuzat nuk ishin të vërteta.

Milioneri Özer u arratis nga Turqia në 20 prill dhe u strehua në Shqipëri bashkë me një server, brenda të cilit mbahen 108 milionë dollarë në kriptomonedha.

Faruk Fatih Özer

Si ndodhi ngjarja?

Zyra e Kryeprokurorit Publik të Anadollit nisi një hetim më 22 prill, pas një raporti se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre në shkëmbimin e parave kripto Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.

Në këtë kontekst, u vërtetua me dokumente dhe regjistrime zyrtare se i dyshuari, pronari i kompanisë, Faruk Fatih Özer, shkoi jashtë vendit më 20 prill  dhe nuk kishte aktivitet në adresat zyrtare të kompanisë.

82 urdhra arresti u lëshuan për të dyshuarit e përfshirë, përfshirë edhe Ozer.

81 të dyshuar u kapën në operacionin e organizuar në 8 provinca me bazë në Stamboll nga ekipet e Zyrës së Degës Kundër Krimit Kibernetik, përfshirë edhe vëllezërit e Faruk Fatih Özer, Güven dhe Serap Özer.

Ozer i kërkoi motrës së tij Serap Özer të gjitha dokumentet e kompanisë më 18 Prill për shkak të problemeve të biznesit dhe iku në Shqipëri dy ditë me vonë.

Në deklaratën e saj, Serap Özer, e cila u ndalua për hetim, deklaroi se vëllai i saj Faruk Fatih Özer kërkoi një raport piraterie të kompanisë në 18 Prill, 2021, dokumente në lidhje me rastet e kompanisë, bilancin e gjykimit dhe dokumentet e buxhetit e vendimin.

Özer shkoi jashtë vendit me këto dokumente dhe miliona dollarë para që fitoi duke mashtruar 400 mijë njerëz.

Mediat turke thanë më parë se biznesmeni turk po fshihet në Shqipëri nga mafia, duke e bërë më të vështirë edhe identifikimin e vendndodhjes së tij, ata deklarojnë se ai po mbrohet në këmbim të ryshfetit.

Policia turke ka dërguar një ekip prej pesë personazh në Ballkan, ku njëri prej tyre është duke punuar me autoritetet shqiptare me qëllim gjetjen dhe kapjen e Faruk Fatih Özer, i cili dyshohet se ka zhdukur rreth 2 miliardë dollarë të më shumë se 390 mijë investitorëve në kriptomonedhën turke “Thodex”.

Faruk Fatih Özer në hotelin në Tiranë

Ndërkohë, katër të tjerë kanë shkuar në Kosovë, Maqedoni, Bosnje dhe Mal të Zi ku dyshohet se turku mund të arratiset.

Më herët, policia zbuloi edhe vendndodhjen e tij duke dhënë edhe adresa.

Media turke “EnSonHaber” shkruante se pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre net, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë.

“EnSonHaber” raporton duke iu referuar burimeve nga policia turke se Faruk Fatih Özer  nuk ndejti shumë aty pasi u zbulua nga autoritetet duke u transferuar në një tjetër zonë, pikërisht në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet.

Gjithashtu edhe ai vend u zbulua dhe së fundmi ai u zhvendos në zonën e “21 Dhjetorit” ku edhe ka humbur gjurmët.

Ndërkohë, policia ka blinduar edhe Fierin e Vlorën pasi dyshohet se Faruk Fatih Özer mund të arratiset me skaf për në Itali.